NË VËMËNDJE: ARTAN RAÇA

NË VËMËNDJE: ARTAN RAÇA

Artan Raça, lindur më 1964 në Tiranë, u diplomua në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit të Tiranës me diplomë në Arkitekturë në vitin 1987. Ai ka punuar deri në 1993 si arkitekt pranë Institutit të Ndërtimit dhe Planifikimit Urban, Tiranë. Pas kësaj, ai themeloi studion Raça Arkitektura me qendër në Tiranë dhe filloi karrierën e tij të pavarur në fushën e arkitekturës, veprimtari që vazhdon deri më sot. Që nga viti 2013, ai ka qenë një profesor i jashtëm në Fakultetin e Arkitekturës, te Universiteti Polis.

Ndër 120 projektet e realizuara, më të rëndësishmet janë banesat kolektive, siç është “Pallati i Verdhë” në rrugën Hoxha Tahsim, i cili u nominua për çmimin europian Mies van der Rohe 2013 në Barcelonë. Disa nga veprat e tij janë vlerësuar dhe theksuar nga revista të ndryshme profesionale ndërkombëtare vitet e fundit. “Pallati i Verdhë” u zgjodh gjithashtu në vitin 2008 për të qenë faqja kryesore e portalit profesional të arkitekturës Europaconcorsi. Punët e zgjedhura të tij janë analizuar dhe në librin e Andrea Bulleri: Contemporaneity suspension, QUODLIBET STUDIO 2012, Itali, si dhe në revistat AREA 118, dhe Paessaggio urbane – Urban Design 6/2011.

Pallati i verdhë, 2002

Pallati i verdhë është një objekt tepër i vogël dhe intim nëse e krahason me ndërtimet e tjera të banimit të kohëvë të fundit në Tiranë. Ai është një “palazzetto”për gjashtë familje, sejcila në një kat prej 120 m2 dhe me katin përdhe me funksion dyqane. Si i tillë ai rrezikonte të bëhej diçka private, më tepër një pronë e atyre që do e banonin, se sa e qytetit. Kështu që ndërhyrja arkitekturore sunoi ta kthente këtë ndërtesë të vogël, në një vepër publike, një shenjë për rrugën dhe qytetin, nëpërmjet një trajtimi plastik.

Godinë banimi

Kjo godinë apartamentesh u projektua me qëllim që të ishte në harmoni me ndërtesat përreth, pasi vendndodhja ku do të ndërtohej kishte një fizionomi të krijuar tashmë me ndërtesat e saj me tulla të kuqe, të ndërtuara para viteve ‘90. Si e tillë, ajo duhet të kishte një dizajn të thjeshtë dhe modest për atë zonë, me linja të drejta, por duke përdorur edhe një frymë arkitekturore bashkëkohore për të treguar periudhën e ndërtimit të saj. E ndërtuar me një buxhet të reduktuar, si shumë ndërtesa të tjera, edhe kjo nuk mund t’i shpëtonte improvizimeve të bëra nga investitori, të cilat ndikuan edhe në arkitekturën e saj përfundimtare.

Për herë të parë pas afro 70-të vjetësh nga ndërtimi i vilës së mbretit Zog në Shirokë, në buzë të Liqenit të Shkodrës, dy investitorë shqiptarë vendosin të ndërtojnë dy vila individuale pushimi, me një projekt mirëfilli arkitekturor, pra edhe me arkitekt. Në morinë e ndërtimeve pa leje dhe pa projekt në shpatin e Malit të Taraboshit në Shirokë dhe me pamjen mahnitëse nga Liqeni, ky projekt është një iniciativë tepër frymëzuese dhe për tu mos u humbur. Pikërisht për këtë arsye projekti i këtyre vilave u përqëndrua në kapjen e pamjes së liqenit, duke i orjentuar tërësisht mjediset e tyre nga kjo anë.

Lingoto Center, 2011

Lingoto Center është një objekt i projektuar dhe i destinuar për zyra. Sot në mjediset e tij është strehuar një universitet privat. I vendosur në një parcelë të ngushtë dhe të gjatë ky trup kërkon të shprehë me lëvizjen e tij masë,  fizicitet dhe sensualitet. Nga ana tjetër kjo lëvizje është si një përshtatje me kontekstin dhe objektet që e “godasin” në të dy anët. Planimetria e kateve të tij është konceptuar si një hapësirë e hapur, për të unifikuar dhe rritur sipërfaqen e punës, duke i vendosur tavolinat e punës në periferi dhe në kontakt me natyrën.

Titaniku, 2012

Ky objekt është ndërtuar në breg të detit Adriatik në plazhin e Shkëmbit të Kavajës, në vendin ku dikur ngrihej restorant Titaniku. I vendosur përballë detit, ai është menduar të strehojë apartamente banimi si shtëpi të dyta dhe për pushim.

Nëse do ta përmbledhim konceptin themelor të këtij projekti me pak fjalë, do të ishte një përgjigje ndaj kushtëzimit, e cila është gjithashtu ideja themelore e punës së studios. Ndërtesa është e kushtëzuar nga studimi urban me një maksimum të lejuar prej 4 dhe 6 katesh, me vendosje qendrore në parcelë. Ideja kryesore arkitekturore ka për qëllim të përdorë këto “kufizime” për të krijuar një “dekonstruktim” të vëllimit ku dy katet e sipërme janë tërhequr nga brenda në tre anë, gjë që e bën më të lexueshëm vëllimin 4-katësh. Interpretimi i volumit të ndërtesës ka marrë parasysh minimizimin e ndikimit në mjedisin rrethues, duke mos e bërë atë një pallat, por një “palazzina”.