Metoda Montessori në arkitekturë dhe design

Metoda Montessori në arkitekturë dhe design

Një mënyrë qasjeje në aspektin arsimor është edhe metoda Montessori, e cila udhëzon fëmijët të zbulojnë nevojat e tyre duke përfshirë trupin dhe mendjen. Që në fazat e hershme të ekzistencës sonë, vërejmë se kemi aftësinë të përvetësojmë me lehtësi më shumë gjëra, dhe ndërsa plakemi kjo aftësi zhduket ngadalë. Kjo është arsyeja pse ne e fillojmë shkollën që në vitet e hershme të jetës, pasi mosha midis gjashtë dhe dymbëdhjetë vlerësohet si e qetë dhe e favorshme për të mësuar. Kjo është një metodë që u jep fëmijëve lirinë të eksplorojnë nevojat e tyre përmes shqisave dhe materialeve të veçanta mësimore. Ajo nuk bazohet në një program mësimor të paracaktuar i cili mund të shkaktojë reagimin e fëmijës, por u jep atyre mundësinë për të formuar veten e tyre brenda ‘një ambienti të favorshëm’.

Metoda Montessori u zbulua në fillim të viteve 1900 nga Dr. Maria Montessori, gruaja e parë në Itali që mori një diplomë në mjekësi. Kontributet e saj kryesore në rritjen dhe edukimin e fëmijëve ishin përgatitja e një mjedisi natyror dhe jetësor, angazhimi i tyre për të jetuar lirshëm në këtë mjedis dhe përshtatja e vazhdueshme e mjedisit në mënyrë që fëmija të përmbushë potencialin e tij, fizikisht, mendërisht, emocionalisht dhe shpirtërisht.

Një parim themelor i shkollës Montessori është që fëmijët të përfshihen natyrshëm në një proces vetë-mësimi. Fëmijët pritet që të mësojnë më shumë nga mjedisi dhe nga njëri-tjetri, sesa nga mësuesi. Për këtë arsye, shumë pak kohë kalohet duke u angazhuar në mësimin e të gjithë klasës. Mësuesi i lejon studentët të ndahen në mënyrë spontane në grupe të vogla dhe të mbikëqyrë, ndërsa fëmijët punojnë së bashku për të përfunduar një aktivitet. Përmes këtij procesi të vetë-drejtuar, Montessori beson se fëmijët do të fitojnë më shumë njohuri. Aftësitë e përgjithshme të jetës kanë më shumë rëndësi në Metodën Montessori sesa studimi i një kurrikule akademike , duke u ofruar fëmijëve Montessori një rritje natyrore dhe të shëndetshme.

Duke ndjekur Arkitekturën Montessori, projektuesit duhet të zbatojnë disa parime që duhen aplikuar në shkollat specifike në mënyrë që jo vetëm të arrihet qasja Montessori, por gjithashtu të kualifikohet nga Organizata Montessori si një shkollë e regjistruar Montessori. Fillimisht mjedisi i përgatitur duhet të ndjekë një linjë si më poshtë:

• Bukuri
• Harmoni
• Thjeshtësi
• “Një vend për të jetuar”
• Objekte të spikatura

Pas kësaj, kjo Arkitekturë ndjek dhe atributet e tjera mjedisore:

  • Hapësira, e cila siguron lirinë e lëvizjes, formën dhe madhësinë e klasave. Forma “L” është më e mira sepse lejon zhvillimin e aktiviteteve më të rëndësishme brenda këndit. Forma e saj asimetrike krijon një sens kurioziteti dhe është jashtë fokusit qendror.
  • Estetika, e cila synon një dekorim të thjeshtë, një ambient të këndshëm, më të ri dhe të mirëmbajtur, që kanë një efekt pozitiv në mësim. Gjithashtu, dhomat duhet të jenë artistikisht të bukura pasi sipas Maria Montessori “Bukuria promovon të dyja, përqendrimin e mendimit dhe freskim për shpirtin e lodhur”.
  • Ndriçimi është shumë i rëndësishëm për performancën e studentëve, dhe veçanërisht ndriçimi natyror, i cili nxit të mësuarit dhe përmirëson shëndetin.
  • Ngjyra: Ngjyra ka një ndikim në presionin e gjakut dhe në sjellje. Ngjyrat e ngrohta rrisin presionin e gjakut dhe aktivitetin muskulor ndërsa ngjyrat e ftohta i ulin të dyja. Gjithashtu, studimet kanë treguar se përdorimi i ngjyrave të natyrës, d.m.th blutë, jeshilet dhe kafet; krijojnë një ambient të rehatshëm dhe të qetë. Skemat e ngjyrave nëpër klasa duhet të jenë të lehta dhe natyrale, ndërsa përdorimi i të kuqve të forta, të verdhës dhe portokallia duhet të jetë e kufizuar. Ato mund të përdoren në mënyrë efektive në materialet mësimore për të ofruar më shumë interes. Në përgjithësi, ngjyrat e ndritshme përshtaten më së miri me materialet mësimore dhe artin. Muret e bardha lejojnë që të gjitha ngjyrat të shihen, pa pasur influencën e një sfondi me ngjyrë. Pra, zonat e mëdha me ngjyra të ngrohta si e kuqja, e verdhë ose portokalli duhet të shmangen.
  • Faktori termik është gjithashtu jetik për një sjellje të qetë dhe produktive. Sipas specialistëve “Në kushte termale ideale, studentët punojnë më shpejt dhe japin një përqindje më të lartë të përgjigjeve të sakta në mëngjes.” Gjithashtu, studentët mësojnë më shumë dhe thithin njohuri më gjatë kur jetojnë në një mjedis termik ideal.
  • Akustika: Nivelet e larta të zhurmës ndikojnë negativisht në kohën e mësimit. Në klasat e Montessorit duhet të jemi shumë të vetëdijshëm ndaj nivelit të zhurmave dhe efektin e tyre në mësim. Materialet thithëse të tingullit mund të rrisin cilësinë e përvojës së të mësuarit.

• Cilësia e ajrit dhe ventilimi natyror ndihmojnë që brendësia e klasave të jetë e pastër dhe të ketë një qarkullim të mirë të ajrit nëpërmjet dritareve të hapura.

Montessori School - Estudio Transversal

Përtej këtyre atributeve, janë edhe pesë faktorë të tjerë kyç që duhet të ketë çdo klasë:

  1. Mjedisi i jashtëm: Në mënyrë ideale, çdo klasë duhet të ketë të paktën dy mure që përballen me mjedisin e jashtëm, i cili përsëri në mënyrë ideale duhet të krijojë një mjedis natyror me pemë. Të paktën një derë duhet të çojë jashtë, duke i lejuar fëmijët të lëvizin lirshëm edhe në një mjedis të jashtëm.
  2. Fushëpamja: Klasat në metodën Montessori duhet të kenë shumë dritë natyrale që hyn brenda nëpërmjet dritareve tërheqëse, të cilat mund të hapen për të lejuar qarkullimin e ajrit. Në klasat e dedikuara për fëmijë më të vegjël, duhet të zgjidhen dritare që arrijnë deri në nivelin e dyshemesë, për t’i lejuar fëmijët e vegjël të shohin jashtë pa u zgjatur. Vëzhgimi i mjedisit të jashtëm është i rëndësishëm, si dhe të shikosh dhe fëmijët e tjerë në klasat e tjera.
  3. Zonat private: çdo fëmijë duhet të ketë një hapësirë ​​të vogël private për të mbajtur gjërat e tij personale. Kjo zhvillon idenë e individualitetit dhe përgjegjshmërisë.
  4. Kuzhina: duhet të sigurohet një lavaman dhe një frigorifer i vogël për secilën klasë
  5. Magazinimi: hapësirat e magazinimit janë të rëndësishme për secilën klasë në veçanti dhe gjithashtu në tërësi. Aty, fëmijët mund të mbajnë detyrat e shtëpisë, modelet, ose çfarëdo që merren gjatë ditës.
Montessori Kindergarten ArkA

Të gjitha mënyrat e mësipërme janë jetike për zbatimin dhe suksesin e Metodës Montessori. Idetë janë të rëndësishme dhe të ndjekura me kujdes, në mënyrë që të arrihet rezultati që dikur aspironte Maria Montessori. Ngjyra, ndriçimi, cilësia e ajrit dhe madhësia e klasave, aktivitetet e jashtme, materialiteti dhe mjedisi rrethues, janë çështje që janë kyçe për të dhënë një rezultat më të plotë dhe bindës për prindërit, fëmijët dhe mësuesit.

Montessori Kindergarten - L&M Design

Source: The Montessori approach and principles by Christina Demetriou