Kulla e Arnume

Kulla e Arnume

Emri i projektit:
Tipologjia:
Studio:
Arkitekt/e:
Vendi:
Status:
Viti i ndërtimit:
Sipërfaqja:
Numri i kateve:
Fotografia:
Bashkëpunëtorë:

Kulla e arnume
Hotel
Plis Atelier
Briken Miloti, Anton Luli
Fishtë, Lezhë, Shqipëri
Ndërtuar
2018
– m2
2
Eno Goxha

Zanafilla e çdo civilizimi ka themelet e saj në dy element përcaktues, të lindjes dhe zhvillimit shoqëror, të cilat janë monolite në kohë. Gjeografia dhe klima janë elementët të cilët kanë krijuar, kultivuar dhe mbrojtur në çdo kohë diversitetin ndërmjet grupimeve shoqërore duke orientuar zhvillimin ekonomik, kultural dhe besimin fetar, pavarsisht komunikimit ose jo ndërmjet shoqërive të ndryshme.

Padyshim që komunikimi ndërmjet popujve ka ndikuar në zhvillimin e kulturave të interesuara, por asimilimi i çdo elementi përbërës i njerës kulturë te tjetra, është përshtatur me karakterisitikat e gjeografisë dhe klimës së shoqërive në fjalë, duke pasuruar kështu padyshim unicitetin e cdo populli.

Mbi të gjitha, këtë mund ta shohim më së miri në teknikat që çdo civilizim ka krijuar, zhivilluar apo asimiluar në ndërtimin e vendbanimeve të tyre. Kumtimi i tërësisë së faktorëve që çojnë në konsolidimin e një teknike ndërtuese dhe shtrirjen e saj në kohë, është ajo që në quajmë arkitekturë. Më specifikisht, arkitektura është imazhi fotografik i kohës në të cilën ajo zhvillohet.

Pa dyshim që edhe kultura iliro-arbërore-shqiptare nuk përbën përjashtim nga ligjet universal, që kanë përcaktuar lindjen dhe zhvillimin e popujve. Për rrjedhojë, edhe ne kemi elementët unik të arkitekturës sonë. Pavarsisht diferencave krahinore apo asimilimeve të marra nga kulturat e tjera, arkitektura e kombit tonë përfaqësohet masivisht nga kulla tipike shqiptare.

Modern Architecture

Më saktësisht, po të marrim në konsideratë drejtimin veri-jug, për shkak të ngjashmërisë së gjeografisë dhe gjithashtu të klimës, me gjithë diferencat krahinore, arkitektura mbizotëruese është padyshim ajo e kullave. Përjashtim përbën ultësira perëndimore, ku arkitektura dominante është ajo e qerpiçit dhe e tullës, nga ekstremi verior tek jugor i saj.

Ndërsa në zonat kodrinore që ndajnë ultësirën perëndimore me hapësirën gjeografike veri-jug, gjejmë një ndërlidhje dhe shkrirje të këtyre dy teknikave të ndërtimit, kjo si rrejdhojë e terrenit dhe klimës që e karakterizon, pa nënvlersuar faktorët e tjerë. Dhe sigurisht, Fishta përbën ndër shembujt më karakteristik të zonave kodrinore shqiptare.

Le të përfytyrojmë seksionimin trasversal, lindje-perndim të “luginës” së trevave shqiptare. Nga hulumtimi i saj, lehtësisht dallohet përshtatja e kullave në varësi të pozicionit gjeografik dhe kushteve klimaterike, si një faktor i rëndësishëm i shpjeguar më sipër.

Të fillojmë me reflektimin nga trevat shqiptare autoktone malore lindore, ku vërejmë kulla me 3 apo 4 kate të shtrira vertikalisht, në të cilat kati përdhe, në shumicën e rasteve, shërben për magazinim produktesh apo për strehimin e kafshëve.

Hyrja në kullë është e theksuar nga shkallët e jashtme, të cilat të cojnë në katin e parë, aty nga ku fillon funksionimi si banim. Fasadat mbizotërohen nga muret e trasha të gurit me dritare të vogla dhe të pakta në numër.

Gjithashtu, element dallues janë çatitë e thepisura alpine. Është lehtësisht e kuptueshme se nevoja për të  mos keqpërdoruar terrenin pjellor, aty ku ai mungon, së bashku me kontrollin e klimës brenda strukturës së kullës, shtynë zgjedhjen e mënyrës së ndërtimit në disa kate, e gërshetuar kjo me mure masive guri për efekt struktural dhe klimaterik. Zgjedhja për të banuar në katin e parë është rrjedhojë e përdorimit të katit përdhes, ndër të tjera, edhe si gjenerator energjie. Po i njejti arsyetim vlen për proporcionin e siperfaqës së murit në lidhje me sipërfaqen e dritareve etj.

Duke zbritur luginën në drejtim të perëndimit, me rritjen e sipërfaqes së terrenit të kultivueshëm dhe njëkohësisht zbutjen e klimës, vërejmë gjithashtu trasformimin gradual të kullës nga zhvillimi vertikal në shtrirje horizontale të saj.

Zonë e banuar bëhet edhe kati përdhe, dritaret janë më të mëdha, muret janë më pak të trasha, çatitë më të ulëta etj. I njejti arsyetim që vlen për drejtimin verilindje-veriperendimin, vlen edhe për juglindje-jugperendimin. Gjithashtu, të njejtët faktorë kanë ndikuar në zgjedhje të tilla si “kulla rurale” apo “kulla qytetare”, ku ia vlen të përmendim qytetin ku kanë mbijetuar kullat qytetare shqiptare, Gjirokastra.

Është e natyrshme që edhe kombi ynë të ndikohej nga kulturat mbizotëruese, të cilat kanë përcaktuar drejtimin që ka marrë zhvillimi multidimensional i botës së qytetëruar, që nga antikiteti deri në kohën tonë. Mundësisht, tendenca jonë e dekadave të fundit, si e shumë kombeve të tjera, e pranimit të influencës së globalizimit edhe në arkitekturë, pa e përshtatur me traditën tonë apo të tyre, ka çuar në një degradim masiv qe në shohim në 360 gradë.

Padyshim që do të ishte gabim fatal përpjekja për të ringjallur traditën, në rastin tonë atë arkitektonike, pa pasur parasysh të gjithë faktorët e kohës në të cilën jetojmë. Në fakt, kjo është sfida e kohës sonë dhe e brezave të ardhshëm, rigjetja e traditave multidimensionale, duke jetuar në epokën e globalizmit.

Nuk mjafton ti përshtatemi gjeografisë dhe klimës, apo të ashtuquajturës traditë, duke propozuar rëndomtë me anakronizëm kullën identike të një shekulli më përpara, por duhet të lind kulla e kohës sonë.

Sigurisht ne kemi konsideruar gabim po aq fatal, propozimin e një zgjidhjeje arkitektonike që është në një linjë me stilet që janë më në “in” dekadën e fundit, pa reflektuar teknikisht mbi përfitimet dhe humbjet që ajo sjell edhe në nivelin tradicional-kulturor dhe ekonomik.

Zgjedhjët teknike të bëra në “Kullën e Arnume” janë fryt i reflektimit mbi të gjithë këta faktorë, që në gërshetimin e tyre kanë dhënë rezultatin që shohim. Arsyeja për të përdorur materiale bashkëkohore ndërtimi si betoni, hekuri dhe xhami, në pjesët ku kulla ishte shembur dhe njëkohësisht, rekuperimi i mureve apo trarëve të drurit që akoma ekzistonin, është rezultati i reflektimit të sipërpërmendur. Kulla, si një ndër elementët identitet-formues të kulturës sonë, është gabim të përkufizohet vetëm në aspektet formale-funkionale të saj, pasi ashtu siç evolon çdo aspekt kulturor në kohë, duhet pasur parasysh që ashtu evolon edhe arkitektura. Për rrjedhojë, përdorimi i materialeve bashkëkohore janë po aq të vleshme për të ridhënë peshën që kullat kanë në identitetin tonë.

Specifikisht në “kullën e arnume”, përdorimi i hekurit dhe xhamit, të gërshetuar me ripërdorimin e gurit dhe drurit,  është tashmë shembull i gjallë që do të vërtetojë se progresi nuk implikon mohimin e traditës, por ndërlidhet me të. Gjithashtu, identiteti dhe pasuria e një kulture nuk mbrohet duke mohuar progresin, por duke e pranuar atë. Arkitektura në të vërtetë, më shumë se ndërtim fizik me arsyet dhe proporcionet e saj të diktuara nga koha në të cilën është ndërtuar, është pasuri e ndjesive të kohës. Specifikisht, kulla shqiptare nuk është vetëm një arkitekturë autoktone, e zhvilluar eskluzivisht nga arsyet e lartpërmenduara apo nga diçka tjetër, ajo mbi  të gjitha është  “t’kenunit” shqiptar, të jetuarit shqipnisht. “Kulla e arnume” në të vërtetë është ajo çfarë ishim, kush jemi dhe se si duhet të bëhemi.

Ndërsa po të tentojmë ti japim një kumtim neologjik rrymës arkitektonike të “Kullës së Arnume”, do të mund ta quanim “Neotradiconalizëm”, jo si qëllim i rëndomtë për të ringjallur arkitekturën tradicionale të kullave, por si rizbulim i faktorëve që kanë çuar në krijimin dhe konsolidimin e saj. Së fundmi, “Kulla e Arnume” nuk do të mund të konceptohej pëveç se në Fishtë në kohën në të cilën jetojmë, pavarsisht mundësive të pafundme që ka pasur të lindte në çdo cep të trevave shqiptare, pasi iluminimi që ka arritur kjo zonë, në këtë kohë, ushqen Neotradicionalizmin Shqiptar.

post a comment

Wordpress Social Share Plugin powered by Ultimatelysocial