Si punojnë së bashku Drita dhe Arkitektura

Si punojnë së bashku Drita dhe Arkitektura

Artikulli: “Arkitektura dhe Drita” – për revistën Star People
Autori: Arkitekte Junilda Karanxha

Të parit është shqisa më potente dhe më e rëndësishme nëpërmjet së cilës kuptojmë Arkitekturën! Drita luan rol primar në mënyrën  se si perceptojmë format e një hapësire, ngjyrat, materialet; intensiteti , forca, pozicionimi i saj ndikojnë drejtpërsëdrejti në dramacitetin e formës!

DRITA NATYRALE

Është ajo forcë natyrore së cilës çdo arkitekt i përulet dhe e respekton në ekstrem. Projekti, format e tij, lexohen, perceptohen dhe gjykohen në fund nga vetë mënyra se si përballet ai me dritën. Është forcë të cilën arkitektët mundohen ta “kontrollojnë” për të krijuar efekte edhe gati dramatike si jashtë ashtu edhe në interior, por sigurisht sfida është e madhe!

Duhen njohuri të thella mbi atë që pa hezitim quhet “shkenca e ndriçimit”! Forma ka shumë rëndësi të lexohet jo vetëm në trajtën e saj individuale, por edhe në raportin që ajo krijon me format e tjera që e rrethojnë!

Drita mund të ketë funksion ekstrem: mikja më e mirë dhe armikja më e keqe për një arkitekt!

Është filtri unik dhe më i vërtetë në të cilin “sitet” forma e arkitekturës!

I takon në këtë optikë arkitektit të shfrytëzojë dritën, ta rimodelojë atë, ta orientojë aty ku ai do, t’i ndryshojë formën “ta lodhë”…ta kthejë në MATERIE-qoftë kjo dritë difuze, qoftë – qoftë një njollë në dysheme, si brenda dhe jashtë në dimensione meganjerëzore apo elemente të dizajnit!

DRITA ARTIFICIALE

Është drita të cilën ne arkitektet mund “ta kontrollojmë”.
Ajo dritë që vesh arkitekturën me vlera të mëdha emocionale dhe ndihmon të krijohet një eksperiencë.

3 janë aspektet kryesore të dritës artificiale në Arkitekturë:

1-Estetika
2-Funksioni
3-Efiçensa

ESTETIKA është ajo pjesë e ndriçimit tek e cila fokusohen arkitektët me qëllimin e krijimit të balancave të ndriçimit në arkitekturë në mënyrë që njerëzit të fokusohen drejt një hapësire të caktuar.

FUNKSIONI – përpos estetikës, aspekti funksional nuk duhet anashkaluar kurrsesi- ne duam që njerëzit TË SHOHIN! Në çdo moment duhet plotësuar kushti i të parit mjaftueshëm qoftë kur lëvizet nga një ambient i brendshëm në tjetrin, qoftë kur i vihet rrotull një ansambli arkitektonik.

EFIÇENSA – shkenca e ndriçimit evoluon me hapa galopantë. Në epokën e arkitekturës “green”, çfarë është novatore sot shumë shpjet mund të kthehet në “old fashioned”. Vërtet duam efektin dramatik e që të na lërë pa frymë, por kjo gjë cilësohet “e suksesshme” kur kostot e saj tani e në kohë janë efiçente! Për këtë ka hyrë pikërisht në përdorim të gjerë teknologjia LED (Light-Emitting Diode), e cila ka zëvendësuar ndriçimin fluoreshent me shumë sukses!

Source: Star People Magazine

Wordpress Social Share Plugin powered by Ultimatelysocial