Arkitektet e Shqipërisë – Rovena Agolli

Arkitektet e Shqipërisë – Rovena Agolli

Një përshkrim të shkrurtër rreth jush…

Drejtoj Studio Fabrika, Interior Design studio. U krijua në 2008. Kam filluar të punoj si interior designer edhe para krijimit të studios, që nga viti 2005. Projektet që kam punuar janë komerciale, rezidenciale si dhe televizive, skenografi dhe interier televiziv.

Omega nga Studio Fabrika

Pse keni zgjedhur Arkitekturën? Cila ka qënë shkëndija që ju drejtoi drejt këtij profesioni?

Arkitektura e brendshme ose Interior Design është një profesion që unë zgjodha të eksploroj para 16 vjetesh. Kisha përfunduar studimet në Akademinë e Arteve në degën e artit vizual, ndërkohë që isha aktive në krijimtarinë artistike dhe merrja pjesë në ekspozita, mendoja se cila mund të ishte puna që mund të beja e cila mund të kishte lidhje me krijimin dhe dizajnin. Disa profesione me vinin në mend, dhe kur mendova arkitekturën e brendshme, ndjeva menjëherë një shkëndijë gëzimi e lidhje të fortë dhe në çast pata bindjen që mund ta bëja më së miri këtë punë. Ndërkohë që kisha filluar punë në televizion dhe si fillim nisa në departamentin estetik dhe kostumografi. Ajo që doja të zhvilloja më tej, që mund të më përfaqësontë ishte skenografia. Pak më vonë u krijua mundësia të jetoja për dy vjet në USA ku aty studiova për Interior Design.  Ky formim më bëri edhe më të sigurt për vendimin që kisha marrë dhe thelloi edhe më tepër dashurinë për këtë profesion. Sapo u ktheva në Shqipëri, fillova me projektet e para të miqve, me të cilët punoja në televizion e më pas me klientë të rinj.

Arkitektura e brendshme, është një profesion që kërkon shumë vëmendje e përkushtim, përveç kreativitetit. Për mua është ende një sfidë e vazhdueshme ku emocionet janë gjithnjë njësoj e dashuria për çdo projekt është e re.

Të kompozosh një interier me të gjithë elementet në harmoni, duke iu përmbajtur kërkesave të klientit dhe specifikave të projektit dhe të ruash individualitetin tënd në krijimtari, është një sfidë e bukur dhe gjithëpërfshirëse.

Omega restorant nga Studio Fabrika

Si e mendoni ju arkitekturën dhe cili është projekti juaj i cili ju përfaqëson më së miri?

Arkitektura për mua është një gjuhë me të cilën krijimi materializohet. Arkitektura është krijimi tre-dimensional që nxjerr në pah tiparet kulturore e gjeografike, po ashtu edhe propozon qëndrime të reja të konteksteve individuale të arkitektit.

Në arkitekturën e brendshme, kësaj palete i shtohet edhe ngjyra e atyre që do e jetojnë interierin. Këtu interieri kthehet në një  rrëfim personal, i cili vibron energjinë e tij dhe komunikon me të gjithë elementet e tij (materialet, teksturat, ndriçimin, format, proporcionet, ngjyrat, volumet, etj). Dhe kjo e bën shumë të ndryshëm dhe kërkues çdo projekt.

Në këtë rrugëtim projektesh, evolucioni ynë është i pashmangshëm. Ai transmetohet cdo ditë në projektet e reja,e megjithatë, tiparet dalluese të individualitetit krijues nuk humbasin, ato vetëm përsosen.

Nese do veçoja projekte që mbartin shijen time më tepër e që mendoj se më përfaqësojnë, janë butik “Bazaart” dhe restoranti “Omega3”. Në të dy këto projekte gjendet paleta ime e preferuar e materialeve e ngjyrave, që është kryesisht minimale dhe e ngrohtë. Harmonizimi i drurit me hekurin dhe finiturës së gurit apo sipërfaqeve të spatuluara në bashkëpunim me gjelbërimin, sjellin më pranë natyrën në interier. Raporti i shpërndarjes së këtyre elementeve krijon një interier me personalitet dallues, i cili me qëndrimin e tij estetik, përcjell tek ne paqe, rregull, harmoni e gëzim. Një nga elementet e mi të preferuar është ndriçimi, i cili i jep jetë dhe vlerëson çdo element nëse është konceptuar siç duhet.

Ne të dy këto projekte ndriçimi është një element që spikat,  edhe pse shumë nuk dinë të shpjegojnë nga se i vjen një ndjesi e mirë për të mos dalë nga këto ambjente. Unë e di se çelësi kryesor është ndriçimi.

Çfarë këshille do i jepje vetes tënde në fillim të karrierës, e vlefshme edhe për arkitektet e reja ose ato vajza/gra që duan të bëhen arkitekte?

“Just Love” what your are doing.

Vetëm duaje çdo gjë që bën dhe vetëm do shkëlqesh. Unë për fat kam lindur me këtë ndjesi dhe vetëdije, dhe bëj çdo punë me dashurinë më të madhe. Nuk kursej asnjë energji e nuk bëj asnjë llogari. Vetëm dashuria të rrit, dashuria të zbukuron, dashuria është kuptimi! Pa të asgjë nuk bën dot, aq më tepër të krijosh.

Frika që nuk do ia dalësh, është vetëm poli i kundërt i dashurisë që sjell vetëm besimin se mund të bësh gjithçka. Ne zgjedhim vetë se në cilin pol duam të qëndrojmë.

Në fillim të çdo iniciative apo karriere nëse kemi frikë, fillojmë të projektojmë pengesa gjinore apo vendore, të cilat i bëjmë realitetin tonë dhe ato ndodhin. Nëse kemi dashuri e besim për potencialin që kemi, asgjë nuk shohim si pengesë, përkundrazi e shohim si avantazh. Të jesh femër është një mundësi e jashtëzakonshme për t’u rritur e sfiduar paracaktimet e mentaliteteve sociale. Nëse je i qartë në objektivin që vendos, çdo gjë bëhet e lehtë për ty. Realitetin e krijojmë vetë, ndaj është shumë e rëndësishme të jemi pozitive në projektimet tona dhe të zbulojmë potencialet e pashtershme me të cilat jemi bekuar nga Krijuesi.

Wordpress Social Share Plugin powered by Ultimatelysocial