Në mënyrë që t’i ofronin arkitekturës së Kosovës një studio unike e cila të fal komfort, të mbush me ndjesi miqësore dhe punon me krijimtari, arkitekti i talentuar Ideal Vejsa së bashku me inxhinerin Memli Dushi, vendosën të hapin në 2009 studion tashmë të shumënjohur, Maden Group, me seli në Prishtinë.
Maden Group gjithmonë përpiqet të integrojë elementë të rinj në projektim sipas evolucionit të teknologjisë dhe materialeve, duke u dhënë dimensione dhe ngjyra të ndryshme krijimeve të tyre, por duke mos e humbur kurrë identitetin e tyre, një karakteristikë kjo që përfaqëson secilin prej projekteve të studios.
Me një ekip prej 15 personash, midis tyre dhe partnerët Gazmend Dema dhe Rashit Zeneli, – vëmendja kryesore e studios është mjedisi dhe atmosfera ku ata punojnë. “Me qëllim që të rifreskojmë punën që ne bëjmë, herë pas here ne e transformojmë vendin tonë të punës për të shmangur monotoninë dhe krijojmë një mjedis krijues. Kjo ka dhënë rezultate të mahnitshme në punën tonë dhe gjithashtu ka rritur dashurinë dhe miqësinë në ekipin tonë.” – thotë arkitekti Vejsa.
Qasja e Maden Group në punë dhe projektim, krijon një themel të fortë për studion, duke rezultuar në projekte të suksesshme, të nderuara me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.