Gëzim Paçarizi është një arkitekt i diplomuar Universitetin e Gjenevës, Zvicër në 1993, lindur në 1964. Ai është anëtar i SIA (Shoqëria Zvicerane e Arkitektëve), Reg A (Regjistri Zviceran i Arkitektëve), Partner i zyrës PHARC (Pacarizi Hunkeler Architectes) në Gjenevë dhe Partner i POLITBYRO (Studio e Arkitekturës Pacarizi) në Prishtinë.
Pas studimeve të gjera dhe vizitave në Le Corbusier dhe Louis Kahn, me të cilët ka krijuar nje lidhje të fortë duke i konsideruar si mjeshtrat e tij të vërtetë, Gëzim Paçarizi ka zhvilluar një teori të tijën, e cila është përkthyer në shumë ndërtesa. Madje, ka thënë se mund t’i titullojë veprat dhe punën e tij ‘si po bëj Kahn-in dhe Le Corbusier-in’.
Gëzim Paçarizi insiston në krijimin e një pikëpamjeje të tijën personale mbi arkitekturën, duke u përqendruar në dy tema: zemërgjerësinë dhe frymëzimin. Sipas tij, arkitektura është poezi, dhe si e tillë qëllimi i saj përfundimtar është përmirësimi konditës njerëzore, krijimi i një paralele me natyrën, në të cilën njeriu mrekullohet me fuqinë njerëzore të krijimit dhe bukurinë e Botës. Arkitektura është pa kohë dhe pa trend. Ajo fshihet në heshtje dhe në dritë.
‘Më pëlqen ta përfytyroj veten në lidhje me tërë historinë e kulturës së ndërtimit. Ndihem afër Le Corbusier, Kahn, Wright, Sinan, Isidor i Millet, afër ndërtuesve të Egjiptit të lashtë, të Kamboxhias, afër ndërtuesve të xhamive në shkretëtirën e Lutit në Persi, por edhe pranë ndërtuesve të Beratit dhe Prizrenit të Vjetër. Ndihem si një vagon që i përket një treni shumë të gjatë, fillimi i të cilit zhduket në të kaluarën. Arkitektura e ka këtë fuqi.’ – ka thënë Gëzim Paçarizi në një leksion në 2014 në‘ Tirana Architecture Week’, në Universitetin Polis.
Më 2002 ai hapi praktikën GPAA në Kosovë. Deri në vitin 2007 ai ka qenë kontribuesi kryesor në rinovimin e arkitekturës bashkëkohore në vend. Në këtë periudhë ai ka ndërtuar ndërtesa të jashtëzakonshme dhe ka dizajnuar disa nga projektet më interesante në Kosovën e pasluftës. Dida House është përfshirë në Katalogun e Bienalës së Venecias 2014 si pjesë e 100 viteve të Modernitetit 1914-2014, duke ilustruar vitin 2008.
Lugina e Buqallës ndahet në dy pjesë nga një lum i vogël. Pronarët e luginës donin të ndërtonin një hotel të vogël dhe pishina në këtë vend të izoluar. Uji duhej të merrej nga lumi, prandaj pishinat duhej të ndiqnin lumin. Projekti është rezultat i ndryshimeve të vazhdueshme. Bazuar në idenë e takimit midis njeriut dhe natyrës, platformat e bëra nga njeriu vendosen në mes të natyrës. Ato janë ura, pishina, ndërtesa, shkallë dhe mure. Ndërsa njerëzit janë duke ecur përreth, arkitektura i bën ata të shohin veten dhe natyrën. Hyrja në vend dhe ndërtesa e hotelit janë në anën veriore, pishinat dhe tarracat janë në pjesën jugore. Tarraca midis hotelit dhe pishinave është ura përmes lumit. Struktura e betonit të derdhur është e qartë dhe është shumë e lehtë të kuptohet se si funksionon ndërtesa. Pjesa e jashtme dhe ajo e brendshme janë të ndërthurura në mënyrë dramatike në të gjitha nivelet. Ndërtesa është e lidhur ngushtë me peizazhin.
Shtëpia Elshani ka një rend të qartë dhe të dukshëm, nga forma, lidhja e saj me rrugën dhe vendin, dhe materialet. Shtëpia është e ndërtuar me tulla të kuqe dhe me çati të sheshtë. Dy kate që mbivendosen me nivele të ndryshme formojnë shtëpinë. Muri i jashtëm i tullave është i theksuar në intervale të çrregullta të shiritave të hollë prej mermeri të bardhë. Ato tregojnë natyrën e kësaj lëkure të dytë të shtëpisë që përshtatet në murin e brendshëm prej lëndësh metalike. Një vazhdimësi hapësinore lidh tre nivelet e shtëpisë. Drita është kudo dhe nxjerr në pah detajet. Brenda, materialet shprehin të vërtetën strukturore. Elementet mbajtëse janë beton ndërsa pjesa tjetër është në suva të bardhë. Brendësia e pasur bie në kontrast me pjesën e jashtme modeste.
Shtëpia e fundjavës Dida ndodhet në Malin e Sharrit, rreth 20 km larg Prizrenit. Familja Dida dëshironte një shtëpi pushimi për të pritur mbledhjet e mëdha familjare dhe njëkohësisht të shërbente si tërheqje në mal. Projekti zhvillohet nga ideja qendrore që hapësira e brendshme dhe ajo e jashtme e shtëpisë duhet të stimulohen nga njëra-tjetra ndërsa veprojnë si platforma për të shijuar natyrën. Të gjitha dhomat janë organizuar rreth boshllëkut qendror të tre niveleve që lidhin më tej ambientet e shtëpisë vertikalisht dhe diagonalisht. Katet dramatike që rrinë pezull kontribuojnë në fuqinë e patundshme të kompozimit poetik. Elementet strukturore janë lënë të zhveshur ku ekspozohet betoni, ndërsa fasada dhe muret janë lyer në të bardhë.
Ideja e Shtëpisë Krasniqi vjen nga vullneti për të krijuar një shtëpi me lidhje me qytetin, në vendin ku nuk duket asgjë interesante. Tri pjesët që formojnë shtëpinë janë pozicionuar në mënyrë të tillë që të mund të zhvillohen marrëdhënie të veçanta. Dhoma e ndenjes merr të gjithë katin e sipërm dhe është e hapur në të katër anët, duke i bërë gjithë malet përreth dhe qytetin të dukshme. Kati i parë, niveli nën banesë, strehon dhoma gjumi dhe apartamentin e vogël. Kati përdhes ka dy dhoma hyrese për pjesën kryesore të shtëpisë dhe apartamentin e vogël. Pjesa tjetër e tij është hapësirë për dyqan me qera. Hapësira jashtë shtëpisë është plotësisht e hapur. Fasada e jashtme e shtëpisë është lënë e ekspozuar në beton, ndërsa ajo e brendshme është e izoluar me tulla në të bardhë.
Muzeu ndodhet përpara Katedrales Katolike të Prizrenit, ku një shekull më parë prindërit e Nënë Terezës u martuan. Muzeu duket tamam si një shtëpi e vjetër në Prizren. Nga jashtë mund të shihen tre kate njëra mbi tjetrën me nga një dritare të madhe për secilin kat, të lidhura ngushtë me arkitekturën e vjetër të Prizrenit, por pa e kopjuar atë. Kjo thjeshtësi fsheh një hapësirë të brendshme të madhe, vertikale dhe të ndritshme, me lartësi të trefishtë, e cila është e mbuluar nga një hark i bardhë me 31 drita të dritareve katrore. Çatia me hark tregon se ndërtesa është publike, pasi që shumica e ndërtesave publike në Prizrenin e Vjetër janë me kupola dhe në kontrast me çatitë e shtëpive me pllaka të kuqe. Kati i parë dhe i dytë veprojnë si galeri që rrethojnë hapësirën kryesore. Muzeu Nënë Tereza është ndërtuar rreth idesë së një hapësire. Pavarësisht në cilin kat jeni, ju jeni gjithmonë në të njëjtën hapësirë. Loja e dritës dhe vëllimet e hapësirës të ndërthurura vertikalisht dhe horizontalisht e bëjnë muzeun të duket shumë më i madh se realiteti. E vogël, e thjeshtë, por e fortë dhe e qartë. Është një shembull se si mund të përshtatet arkitektura në mjedisin e saj, si mund të shprehë identitetin e vet dhe si mund të përmirësojë mjedisin me praninë e saj. Të gjitha pikat që mungojnë së fundmi në arkitekturën në Kosovë.
Ideja që shtëpia dhe oborri të jenë në harmoni, ishte pika e fillimit të projektit. Kjo është arsyeja pse oborri u konceptua si një hapësirë e brendshme, por pa çati. Shtëpia do të kishte të gjitha pamjet e saj në anën e oborrit. Kjo ndërlidhje midis hapësirave të brendshme dhe të jashtme, është vetë përkufizimi i kësaj arkitekture. Shtëpia vetë është bërë nga dy vëllime të vendosur mbi njëri-tjetrin. Ajo është bërë vetëm nga materiale vendase. Tullat e thjeshta dhe prej betoni, janë materialet kryesore. Një shkallë e jashtme hekuri lidh dy apartamentet, duke theksuar përvojën vertikale të kopshtit. Koncepti i përgjithshëm i kopshtit si një hapësirë jetese në vetvete, me përcaktimin e tij arkitektonik, është tradicional. Përdorimi i ujit frymëzohet drejtpërdrejt nga Prizreni i Vjetër, ku deri në Luftën e Dytë Botërore, të gjitha shtëpitë përshkoheshin nëpërmjet kanaleve të ujit. Muri me tulla përballë Veriut, përdor një veçori të vjetër tradicionale, një dritare të verbër, e cila dikur tregonte se kujt i përkiste muri.
Source: GËZIM PAÇARIZI ARCHITECT