Arkitekt, planifikues urban dhe arsimtar për 70 vitet e fundit, Balkrishna Doshi ka luajtur një rol thelbësor në formimin e diskursit të arkitekturës në të gjithë Indinë dhe në mbarë botën. I ndikuar nga mjeshtrat e arkitekturës së shekullit të XX-të, Charles-Édouard Jeanneret, i njohur si Le Corbusier dhe Louis Khan, Doshi ka mundur të interpretojë arkitekturën dhe ta shndërrojë atë në vepra të ndërtuara që respektojnë kulturën lindore duke përmirësuar cilësinë e jetesës në Indi. Qasja etike dhe personale ndaj arkitekturës ka prekur jetën e çdo klase socio-ekonomike përmes një spektri të gjërë zhanrash punësh që nga vitet 1950.
Doshi ka lindur në Pune të Indisë më 26 gusht 1927, në një familje të madhe Hindu që ka qenë e përfshirë në industrinë e mobiljeve për dy breza. Që në moshë të vogël ai shfaqi interes për artin dhe kuptimin e propocionit. Ai u prezantua me arkitekturën nga një mesues në shkollën e tij. Në vitin 1947, vitin kur dhe India fitoi pavarësine, Doshi filloi studimet në Shkollën e Arkitekturës Sir J. J., Bombay (Mumbai), një nga shkollat më të vjetra dhe më të rëndësishme për arkitekturën në Indi.