Një shkrim nga Brunilda Basha. Të kuptuarit e artit Islam, lidhet drejtpërsëdrejti me të kuptuarit e mesazhit të fesë, si dhe me përdorimin estetik të elementeve të ndryshëm të cilat i shërbejnë atij qëllimi Hyjnor. Nëpërmjet punimeve të mjeshtrave dhe artistëve muslimanë, përgjatë gjithë kohës që kur Islami u shpall si fe, u shfaqën edhe forma të ndryshme të estetikës Islame si arabeskët, kaligrafia, floralet, format gjeometrike, e shumë element të tjerë. Të gjitha këto forma arti synonin të përçonin filozofinë e besimit, botëkuptimin e jetës dhe mendimit racional të krijimit. Madje, jo rrallë herë, duke shërbyer si katalizator për të shtyrë njeriun në introspeksionin shpirtëror mbi kuptimin dhe lidhjen e Krijues- Krijim.
Për 13 shekuj, dekorimi ka qenë një element lidhës ndërmjet ndërtesave dhe objekteve nga e gjithë bota islamike – nga Spanja në Kinë, nga Turqia në Indonezi. Dalu Jones, në esenë e tij mbi “Elementet Dekorative: Sipërfaqja, modeli dhe drita”, shprehet se Arti Islam duhet të konsiderohet në tërësinë e tij, sepse çdo ndërtesë dhe objekt mishëron deri diku parime identike, ndonëse arti tek çdo ndërtesë ndryshon në stil, ide, forma apo dizajni, duke patur secila individualitetin e saj. Zbukurimet apo dekorimet vizuale, përveç mureve dhe tavaneve, janë të pranishme edhe tek qilimat, jastekët, enët, mobiljet, e më tej. Është interesante se pavarësisht pozitës gjeografike, qoftë Xhamia e Kordobës apo shkollat e Samarkandit, e njëjta dritë dhe i njëjti art islam shkëlqen në çdo vepër arti.
Kjo falë një parimi kryesor ku bazohet arti islam, ai i Unitetit. Ky është dhe koncepti primar i atij arti, siç pohohet edhe nga studiues të shumtë të cilët kanë eksploruar artin islam. E gjitha nis nga “teuhidi”- Njëshmëria. Parimi kryesor i Islamit është Njëshmëria e Zotit dhe adhurimi vetëm i Tij. Njeriu, nga vetë natyra e tij, shpesh kërkon për një qoshkë, vend apo ndërtesë për t’u vetmuar, lutur dhe falur Zotit, ndaj përfaqësimi fizik i këtij ambienti është shumë i rëndësishëm dhe esencial. Ky lloj uniteti pastaj aplikohet në çdo formë arti, si për të reflektuar edhe unitetin e kozmosit, e botës që na rrethon. Çdo formë apo figurë, nëse e shohim në prespektivën e kuptimit simbolik, reflekton një vlerë dhe parim brenda kornizës së harmonisë Universale.