“54 vjet më parë vdes Le Corbusier”

“54 vjet më parë vdes Le Corbusier”

Ky artikull është shkruar katër vjet më parë dhe botuar në gazetën MAPO me rastin e 50 vjetorit të vdekjes së arkitektit Le Cobusier, nën titullin: “54 vjet më parë vdes Le Corbusier”, nga Artan Raça. Meqenëse linku i tij nuk hapet më, po e postoj atë me titullin e përditësuar.

Cabanoni, i vendosur në Roquebrune Cap-Martin, Francë. Le Cobusier, 1952

“ Ndjehem aq mirë në cabanonin tim sa me siguri do ta mbyll jetën time këtu.” Por nga të gjithë parashikimet e tij të jashtëzakonshme ndoshta ajo për vdekjen e tij, që do t’ia thoshte kolegut André Maisonnier do të ishte më i pazakonti: “Sa bukur do të ishte të vdisje duke notuar drejt diellit!” Kështu në mënyrë profetike me sa duket i tha zemra, e cila e la papritur ndërsa notonte nën diellin e Côte d’Azure në Roquebrune Cap-Martin më 27 gusht të vitit 1965. Një cep shumë i dashur i botës, ku njëri prej arkitektëve më karizmatikë të Epokës Moderne, Charles-Éduard Jeanneret-Gris apo si e njohin të gjithë Le Corbusier (Lë Korbyzie), kishte gjetur veten e tij midis pareteve të një “cabanoni” të vogël, një strukturë e parafabrikuar në një kantier në Ajaccio të Korsikës. Projekti i skicuar për 45 minuta nga vetë Le Corbusier, kishte të bënte me një bungalow të parashikuar si një dhuratë në ditëlindjen e gruas së tij Yvonne, një kub me përmasa 3,36x 3,36 dhe lartësi 2,26 metra, i veshur nga jashtë me dru pishe dhe brenda lisi, një tavolinë arre dhe parete me kompesatë: ishin këto kufijtë e një bote perfekte të bazuar mbi studimin e tij të famshëm Modulor, ku çdo gjë është e rëndësishme, funksionale, racionale, llogjike, antropometrike, e dimensionuar në përsosmëri dhe e shfrytëzuar me saktësinë e hapësirave të një qele françeskane apo të një kabine trageti, ku çdo centimetër është tepër i vyer për t’u mos humbur.

Në kohën kur Le Corbusier largohet nga kjo jetë unë sapo kisha ardhur, dhe më vonë, 100 vjet pas lindjes së tij, më 1987 unë mbaroja shkollën si arkitekt në Tiranë në kohën e izolimit të madh, ku literatura dhe informacioni për artin dhe arkitekturën vinte me dekada vonesë. Në atë kohë në Perëndim ishte përhapur dhe propagandohej Postmodernizmi në arkitekturë, një rrymë kalimtare dhe jetëshkurtër, të cilën edhe ata që e krijuan u penduan dhe e braktisën shpejt. Izolimi komunist, (çdo e keqe e ka një të mirë) në këtë rast rezultoi një rastësi fatlume e shpëtimtare, një karantinë për të mos u infektuar nga ky stil. Në pamundësi për të hyrë në kontakt me të rejat e Postmodernizmit isha i detyruar të studioja ato të dekadave më parë, të viteve pesëdhjetë-gjashtëdhjetë, të një epoke tepër heroike, Lëvizjen Moderne të gjysmës së parë të shekullit XX dhe heronjtë e saj: Walter Gropius, Mies Van der Rohe dhe Le Corbusier, i cili siç shkruan arkitekti Peter Smithson, “të bën të çlirohesh nga çengelat”. Këtë bëri edhe me mua ashtu si dhe me shumë arkitektë, në sajë të arkiteturës, të pikturës dhe mbi të gjitha në sajë të shkrimeve të tija. Ishin këto tre profesione të ndryshme që ai i ushtronte çdo ditë me përkushtim e pasion; piktor kryesisht nga mëngjesi deri në mesditë në orën një, arkitekt pasdite deri në orën gjashtë dhe në mbrëmje shkrimtarin dhe ndonjëherë bashkëbiseduesin e apasionuar. Pasioni i tij për arkitekturën i shprehur në 57 libra e tekste, shumë prej të cilëve u bënë best-seller dhe disa të tjerë si “Vers une Architecture”(Drejt një Arkitekture) mbetën ende të tillë, ishte aq i ndjerë dhe i fortë sa bëri për vete breza të tërë arkitektësh në mbarë botën. Kjo është ajo që e bën atë “një zog të rrallë” që kërkon ta shikosh në një mënyrë të veçantë. Është një përcaktim pak i njohur ai që i ka dhënë vetes kur më 1930 iu kërkua nga qeveria franceze të deklaronte profesionin e tij dhe ai nuk shkruan as “arkitekt”, as “projektues” apo “piktor” në pasaportën e tij e cila e bënte qytetar francez, por shënoi “Homme de Lettres”. Ndoshta sepse që nga momenti që kishte braktisur L’École des Beaux Arts nuk mund të shkruante në krah të emrit të tij, titullin DPLG (Diplomé Par Le Gouvernement), ndoshta si një shaka për njerëzit e rrethit të tij që e njihnin mirë. Sido të ketë qenë, koha do të vërtetonte se motivi i përcaktimit te vetes “Njeri i Letrave” erdhi nga fakti i një fame të jashtëzakonshme që arriti të krijojë emri i tij i rastësishëm, Le Corbusier, i cili bëri të harrohen dhe identitetet e tjera të tij, ato të piktorit Jeanneret, të ndërtuesit, si dhe ai i lindjes.

Pas bumit të madh industrial të shekullit të XX-të nuk ishte më e mundur për qytetet, që për dymijë vjet me radhë ishin ndërtuar brenda vetes së tyre duke respektuar një raport delikat qytet-fshat, të zhvilloheshin për më tej sipas një spontaniteti edhe pse tepër të zgjuar dhe elokuent. E pra menjëherë pas këtij momenti hyn në skenë Le Corbusier, figurë prej monarku të vërtetë absolut, diçka midis Supermenit dhe Rasputinit, që kërkon t’i imponojë botës bindjet e tija individuale. Ishte thirrja e një personi të vetëm të veshur me konsensusin publik. Nëse kjo ndodhi është sepse situata ekonomike, kulturore, shoqërore e këtij momenti ia lejoji, bile ia kërkonte dhe ai veproi me qëllimin dhe përgjegjshmërinë, jo për të krijuar një lëvizje të madhe popullore, por për të shprehur vullnetin e një elite të kësaj fushe. Paul Klee më 1924 me keqardhje do të thoshte se “nuk kemi mbështetjen e njerëzve por jemi duke kërkuar një popull të ri”.

Mund të duket fantaurbanistikë që ai arriti i vetëm të vendoste një botë të tërë nën idenë e tij mbi qytetin dhe arkitekturën, duke imponuar hegjemoninë e tij në nivel planetar, hegjemoni e cila ende vazhdon. Por edhe nëse kjo nuk ka ndodhur plotësisht dallga e madhe e cunamit të tij na arrin edhe sot, ndoshta edhe sepse Moderniteti është një fenomen ende i hapur dhe nga ajo kohë kemi trashëguar detyrën e vështirë të kërkimit të një ekujlibri të pamundur midis ideve të reja dhe pasojave të tyre shkatërrimtare mbi natyrën dhe qytetin, duke tentuar gjithmonë të qëndrojmë midis për të lehtësuar dëmet.

Le Corbusier ka dominuar skenën europiane dhe perëndimore të shekullit të XX-të me arkitekturë, propozime urbane, pikturë, skulpturë e shkrime. Asnjë nuk është studiuar më shumë se ai, askush si ai nuk ka patur admirues entuziastë, denigrues të ashpër, imitues besnikë e jo besnikë. Askush si ai nuk ka arritur të tregojë rëndësinë e investitorit për arkitekturën dhe urbanistikën bashkohore. Askush si ai nuk ka arritur të mishërojë një vullnet demiurgu në transformimin e mjedisit që jetojmë dhe përgjegjshmërinë në pafuqishmërinë e individit sado gjeni që të jetë ai. Përkufizimi i tij mbi Arkitekturën Moderne, e cila “…është një lojë e zgjuar, e saktë dhe e mrekullueshme e volumeve nën dritë…, kuba, kone, sfera, cilindra apo piramida, të cilat janë forma bazë, format më të bukura…” do të mbetet një nga përkufizimet më të famshme deri më sot.

Le Corbusier shpeshherë është kritikuar për dështimet e tij në urbanistikë dhe në disa objekte tepër të guximshme sidomos në periferitë e qyteteve, të cilat sot është shumë e lehtë t’i sulmosh. Ndoshta këto objekte na paraqiten në kohën tonë të tejkaluara sepse të tejkaluara mund të jenë edhe idetë që i kanë prodhuar, por të paktën ato ishin ide! Dhe do të ishte shumë e bukur nëse sot do të ktheheshim e të ndërtonim edhe ne duke ndjekur një ide.
Vlera më e madhe e tij qëndron në faktin se ishte një liberator i madh për arkitekturën dhe projektimin urban. Vetëm vitet që rrodhën pas vdekjes mundën të provojnë se sa me vlerë ishte liria e dhënë prej kurajos dhe imagjinatës së tij. Është kjo trashëgimia më me vlerë dhe fisnike që na la Proteu që erdhi nga Zvicra dhe vdiq në Francë.

post a comment